Ndihmë qyteteve dhe komunave në rrugën e migrantëve

NGA AUTORI: JUGPRESS 18 DHJETOR 2016

PRESHEVË-LESKOVC-VRANJË-BUJANOC-VLADIÇIN HAN-BOSILEGRAD

Ministri i Punës, punësimit, veteranëve dhe çështjeve sociale, Aleksandar Vulin, dhe kryetarët e 14 qyteteve dhe komunave të prekura nga kriza e emigrantëve, kanë nënshkruar në Preshevë marrëveshjen për bashkëpunim, ndërsa në këtë ngjarje ka marrë pjesë Drejtori i Zyrës në Beograd i Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW), Arne Gros.

Për programin “Forcimi i infrastrukturës sociale në komunat e prekura nga kriza e migrantëve”, Qeveria gjermane ka dhuruar 5.4 milionë euro, nëpërmjet Bankës KFW. Vulin sot në Preshevë, ka thënë se kjo është një ndihmë e rëndësishme për 14 qeveritë lokale. “Përveç parave, është shumë e rëndësishme që dikush jashtë kufijve ta njohë atë që ne kemi bërë dhe çfarë  po bëjmë për të ndihmuar emigrantët”, ka thënë ai dhe ka shtuar se kjo është ndihmë dhe mirënjohje për durimin e qytetarëve që kanë treguar, dhe të cilët kanë kontribuar që emigrantët të mirëpriten gjithmonë me dinjitet dhe kujdes”. “Gjithçka që ne do të ndërtojmë, shkolla, rrugë, objekte, të gjitha këto do t’i mbeten qytetarëve kur kriza e migrantëve të kalojë”, ka thënë Vulin.

Ai gjithashtu ka thënë se Serbia nuk e ka shkaktuar krizën e emigrantëve, dhe se Serbia nuk mund ta ndalojë atë, por se dëshiron të ndihmojë që emigrantët të kenë kushte dinjitoze për qëndrim dhe të ndjehen dinjitozë. Vulin ka thënë se aktualisht në qendrat e strehimit gjenden rreth 6,000 emigrantë.

Në pyetjen e gazetarit të JUGpressit, nëse ekzistojnë të dhëna se sa emigrantë janë jashtë këtyre qendrave të pranimit, Vulin ka thënë se “kurrë nuk mund të jeni absolutisht të sigurt, natyrisht, por janë mes 700 dhe 1000”. Vulin ka thënë se ka kthim të emigrantëve nga Serbia për në vendet nga të cilat kanë ardhur, dhe se kjo “po ndodh çdo ditë”, por se “ne duhet ta kuptojmë se ky është një proces”.

Në pyetjen e Jugpress nëse bëhet fjalë për kthimin sipas marrëveshjes rreth riatdhesimit, të cilin e organizon shteti i Serbisë, apo për vendim të pavarur të emigrantëve për t’u kthyer, Vulin ka thënë se ka “kthim vullnetar” por edhe të tillë që po zbaton shteti, por se nuk e di numrin e emigrantëve për të cilët bëhet fjalë, që janë kthyer dhe se “këtë e di Ministria e Brendshme”. Ai gjithashtu ka thënë se bashkëpunimi me udhëheqjet e komunave të Preshevës dhe Bujanocit, është “i mirë” në fushën e krizës së emigrantëve.

Drejtori i zyrës në Beograd i Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW) Arne Gros, ka thënë se kjo marrëveshje ështe “e rëndësishme për njerëzit që janë detyruar të durojnë shumë gjatë krizës së migrantëve”. “Jam i lumtur që jemi pjesë e ndihmës dhe që po ndihmojmë”, ka shtuar Gros.

Me marrëveshjen parashihet financimi i 27 projekteve të veçanta në 14 qytete dhe komuna në rrugën e emigrantëve nëpër Serbi. Kryetari i Leskovcit, Goran Cvetanoviq ka thënë se, falë kësaj marrëveshjeje, në Leskovc do të rindërtohen tri shkolla fillore, njërën e ndjekin fëmijët me nevoja të veçanta, Dispanzerin për fëmijë dhe ndërtesën në të cilën gjendet Shtëpia e Sigurt.

Kryetari i Vranjës, Slobodan Milenkoviq ka thënë se në rajonin e këtij qyteti, do të rindërtohen tri shkolla.

Ostavite komentar

avatar
  Prati  
Obavesti me o