Bursa për gjashtëdhjetë nxënës të shkollës së mesme në Medvegjë

PUBLIKUAR NGA JUGPRESS 21 DHJETOR, 2020

MEDVEGJË

Gjashtëdhjetë nxënës të shkollës së mesme nga territori i komunës së Medvegjës morën bursa nga fondet e Trupit Koordinues për komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

Në mesin e përfituesve ishin edhe  gjashtë nxënës nga komuniteti shqiptar i kësaj komune. Në konkursin e shpallur më parë, kriteret për përfitimin e kësaj burse përkonin me statusin social, suksesin, por edhe nëse nxënësi nuk kishte njërin apo të dy prindërit.

Kushti për marrjen e bursës ishte vendbanimi në territorin e komunës së Medvegjës, por jo edhe vendi i frekuentimit të shkollimit.

Bursa është paraparë të ndahet vetëm për katër muaj, nga shtatori deri në dhjetor.

Se a do të vazhdohet me pagesën e tyre edhe në vitin 2021 varet nëse do të sigurohen fonde në buxhetin e Trupit Koordinues për komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, të planifikuara për këtë destinim, tha Zoran Stankoviq, kryetari i këtij organi qeveritar të Serbisë, i cili ishte formuar njëzet vite më parë për të punuar në mënyrë aktive në këto tri komuna.

Përkundër faktit se ata ende nuk e dinë nëse do të vazhdojnë të marrin këto bursa të paktën deri në fund të këtij viti shkollor, nxënësit përfitues u shprehën shumë të lumtur.

Ata thonë se ato 6,000 dinarë në muaj, sa është shuma e bursës, do të thotë shumë për lehtësimin e buxhetit të familjeve të tyre dhe do të jetë një ndihmë e madhe për prindërit.

Ata gjithashtu na tregojnë se situata ekonomike në Medvegjë është shumë e rëndë, dhe gjasat për të gjetur një punë janë jashtëzakonisht të pakëta dhe se ata planifikojnë të vazhdojnë shkollimin në një qytet tjetër.

Në Medvegjë, bursat iu ndanë nxënësve që vitin e kaluar kishin një notë mesatare nga 3.75 deri në pesë

Prati
Obavesti me o
guest

0 Komentara
Inline Feedbacks
Prikaži sve komentare