NGA AUTORI: JUGPRESS, 28 nëntor 2016
BUJANOC
Ambasadori i Zvicrës në Serbi dhe Mal të Zi, Filip Ge ka thënë në Bujanoc se është arritur
“njëfarë progresi në integrimin e shqiptarëve në jug të Serbisë, por se ai është i kufizuar dhe vuri në dukje problemet të cilat ky komunitet ka në Serbi. “Si ilustrim, do të përmend tre shembuj: i pari është përfshirja e shqiptarëve në forcat e policisë, po flasim për 300 shqiptarë, rritjen graduale të numrit të mediave lokale në gjuhën shqipe, si dhe hapjen e repartit të maternitetit në Bujanoc, i cili është mbështetur nga Qeveria zvicerane nëpërmjet PROGRESIT Evropian”, ka thënë ai.
Ge ka shtuar se “për fat të keq” shumica e këtyre “progreseve pozitive” është mbështetur dhe iniciuar nga komuniteti ndërkombëtar.
“Kur bëhet fjalë për ndonjë progres që është në mënyrë interne, në nivelin lokal, sidomos do të përshëndesja emrimin e shqiptarit në krye të policisë në Bujanoc,” ka thënë ambasadori, i cili konsideron se është e rëndësishme të përmendet edhe arritja e marrëveshjeje midis Ministrisë së Arsimit dhe Këshillit Kombëtar të pakicës shqiptare për shtypjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
“Në lidhje me arsimin në gjuhën shqipe, poashtu besoj se marrëveshja e arritur në mes të kryeministrit Aleksandar Vucic dhe Edi Ramës, së bashku me përfaqësuesit politik lokalë, do të kontribuojë në përmirësimin dhe avancimin e arsimit për shqiptarët. Rezultati përfundimtar duhet të kontribuojë në përmirësimin e mundësive të tyre ekonomike, por edhe të rrisë kapacitetin e tyre për të gjetur punë”, ka sqaruar Ge. Ai ka paralajmëruar se të dhënat socio-ekonomike, që kanë të bëjnë me jugun e Serbisë “flasin vetë për veten”.
“Prodhimi i brendshëm bruto për kokë banori në komunat e Bujanocit, Medvegjës dhe Preshevës mbetet ndër më të ultit në Serbi. Shkalla e papunësisë në jug të Serbisë e tejkalon 60% dhe të rinjtë vazhdojnë t’i braktisin këto komuna, pasi që shohin shumë pak gjëra për të cilat mund të gëzohen dhe t’i presin”, ka sqaruar ambasadori. “Unë besoj se, përveç rëndësisë që ka rritja e investimeve në sektorin privat dhe investimet në infrastrukturë në jug të Serbisë, disa nga politikat e fundit dhe aktuale shtetërore dhe pikat ligjore do të paraqesin mundësi të rëndësishme për përmirësimin e integrimit të shqiptarëve”, ka thënë Ge dhe ka shtuar se kjo, para së gjithash, ka të bëjë me miratimin e planit të aksional për pakicat kombëtare, si dhe ndryshimet që do të bëhen në lidhje me Ligjin për këshillat kombëtare të pakicave kombëtare dhe strategjia e ardhshme për decentralizimin, dhe se ato dokumente “mund të tregohen si ndihmë në aspektin e integrimit”. Ai ka shfaqur shpresën se raporti i publikuar para pak kohe i Komisionit Evropian”, do të ndikojë pozitivisht në rivendosjen e dialogut politik midis autoriteteve në nivelin qendror dhe udhëheqësve lokalë shqiptarë”.
Në tryezën e rrumbullakët për integrimin e shqiptarëve, e cila u mbajt në Bujanoc, ai ka thënë se Zvicra me vite është e përkushtuar në promovimin e qeverisjes së mirë, veçanërisht në nivelin lokal, duke mbështetur zhvillimin e sektorit privat, duke përfshirë sektorin privat në rajonet më së paku të zhvilluara, forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e dialogu politik në Serbi”.