MUSTAFA: RRUGËT JANË DËMTUAR NGA TRANSPORTUESIT E REFUGJATËVE

24 NËNTOR, 2015

PRESHEVË

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë për JUGpress-in se kjo komunë me muaj të tërë po përballet me numrin e madh të refugjatëve në territorin e saj dhe se, për shkak të numrit të madh të transportuesve, rrugët lokale janë dëmtuar në masë të madhe.
“Presheva tashmë është bërë një stacion i madh i autobusave ku çdo ditë kemi 500 autobusë që janë të parkuar nëpër rrugët lokale dhe të cilët pengojnë seriozisht lëvizjen e lirë dhe lëvizjen e automjeteve motorike të qytetarëve tanë”, ka thënë Mustafa dhe ka shtuar se “edhe rrugët lokale po dëmtohen seriozisht”.
Sipas analizave të nivelit të dëmit që e kanë bërë shërbimet profesionale në komunë, të paktën për gjashtë rrugë lokale ku lëvizin automjetet e rënda motorike, sidomos autobusët, dhe se kjo shifër është të paktën një milion euro.
“Ato para do të duhet të sigurohen nga pushteti lokal, por nuk e di prej ku, sepse deri tani nuk kemi pasur ndonjë ndihmë nga Qeveria e Republikës së Serbisë, e as të donatorëve të huaj”, ka thënë Mustafa dhe ka shtuar se ata “po tregojnë gatishmëri për të investuar në infrastrukturë, përkatësisht shërbimet që i kryen komuna e Preshevës për menaxhim më të mirë me krizën e emigrantëve, por që nuk ka asnjë ndihmë konkrete”.
“Presim që të na ndihmojnë, përndryshe, pas përfundimit të gjithë kësaj historie të kalimit të refugjatëve nëpër territorin e komunës së Preshevës, do të kemi shpenzime të mëdha për rregullimin dhe riparimin e këtyre rrugëve lokale, pastrimin dhe punë të tjera që janë më të nevojshme në infrastrukturën e komunës së Preshevës, ndërsa para nuk do të ketë kurrë”, ka thënë Mustafa dhe ka shtuar se autoritetet lokale po përpiqen me muaj për të marrë ndihmë nga Qeveria e Serbisë dhe nga donatorët e huaj.

Prati
Obavesti me o
guest

0 Komentara
Inline Feedbacks
Prikaži sve komentare