MEDVEGJË – BUJANOVC – PRESHEVË
Konkursi për subvencione për bujqërit shqiptarë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë duhet të anulohet
dhe nëse nuk e bën Këshilli Kombëtar Shqiptarë ( KKSH) do ta bëjë Ministria për të drejtat e njerëzve
dhe pakicave.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarë, Nevzad Lutfiu, ka deklaruar që si këshill nuk do ta bëjnë këtë dhe
për hapat e ardhshëm do të vendosin në marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, e cila ka paralajmëruar
se do t'i siguroj paratë për këto subvencione.
Ndarja e subvencioneve për bujqit nuk është në mandatin e Këshillit Kombëtar Shqiptarë, siç
paralajmëroi edhe ministri për të drejtat e njerëzve dhe pakicave, Tomislav Zhigmanov.
Këshilli Kombëtar Shqiptarë është institucion të cilin e ka themeluar shteti i Sërbisë, ashtu sikur edhe
këshillet tjera nacionale, e cila për veprimtarinë e tyre ndan të holla nga buxheti i Sërbisë.
Këshilli Kombëtar i pakicave mund të vendosë në lidhje me pyetjet në fushën e kulturës, arsimit,
përdorimi i gjuhës dhe shkrimit, realizimi i të drejtave kolektive të pakicave kombëtare në vetëqeverisje,
ndërsa nuk ka kompetenca në fushën e bujqësis, kështu thuhet në një njoftim nga ministria përkatëse.
Në këtë paralajmërim të kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar,Lutfi Haziri akuzon Sërbinë që në këtë
mënyrë ” po bën spastrimin etnik të shqiptarëve”.
Qeveria e Kosovës ka ndarë një milion euro për subvencione për bujqit shqiptarë në tri komunat në jug të
Sërbisë, shpërndarja e të cilave është shpallur përmes konkursit të Këshillit Kombëtar Shqiptarë.
Sipas Valon Arifit, aktivist i OJQ nga Presheva, Këshilli Kombëtar Shqiptarë është institucioni më
jokompetent për zbatimin e një konkursi të tillë.
” Konkursi për bujqit thjesht nuk është në përshkrimin e punës të KKSH. Ky projekt do duhej të realizohej
nga institucionet komunale të atjeshme ose ndoshta përmes fondacioneve që do ti themelonte Republika
e Kosovës, siç janë USAID-i amerikan ose Tika turke”, thotë Arifi.
Deputeti popullor në Parlamentin e Sërbisë, Shaip Kamberi,e quajti Zhigmanov “marionetë” për vënien
në pah të një aktiviteti që nuk është në përputhje me kompetencat ligjore të Këshilit Kombëtar Shqiptarë.
Në një postim në facebook, ai përballet verbalisht me ministrin por edhe me Alternativën për ndryshim e
cila ka kërkuar vlerësimin e ligjshmërisë së këtij konkursi. Edhe këtu, ashtu si me shpërndarjen e parave
nga Prishtina vitin e kaluar , në plan të parë janë interesat partiake dhe politike e jo interesat e
shqiptarëve që jetojnë në këto tri komuna.
Ja çfarë shkruan Kamberi:
Përmes marionetës Zhigmanov, ministrit kroat të Vuçiqit dhe “kalit të trojës” nga Lugina e Preshevës
(Alternativës për Ndryshim) Serbia ka nisë proces për pengimin e realizimit të Fondit të Qeverisë së
Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës.
Një masë e re diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, po përgatitet nga marioneta
kroate e Aleksandër Vuçiqit, ministrit për të drejtat e njeriut dhe pakicave, Tomislav Zhigmanov.
Ai ka kërkuar nga Këshilli kombëtarë të anulojë konkursin e shpallur për subvencionet në bujqësi, mjete
këto të destinuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në kaudër të përkrahjes institucionale që
Republika e Kosovës po ofron për shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Zhigmanov ka kërcënuar se ai dhe ministria e tij do të anulojnë konkusin e KNSH nëse ky i fundit, nuk e
anulon vet.
Shumë qartë që me këtë kërcënim të ri që Beogradi zyrtar po e jep në adresë të të gjithë shqiptarëve, po
tenton të pengojë ndikimin e Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës, të vrasë çfarëdo shprese
për një perspektivë më të mirë të shqiptarëve dhe të pamundësojë rimëkëmbjen e bujkut, blegtorit,
zanatlisë, mediave, sektorit civil dhe secilës sferë tjetër këtu që mund të ndihmohet nga buxheti i RKS në
Luginë.
Por, sikurse edhe të pakicat e tjera, ashtu edhe në këtë rast, Beogradi ka gjetur një mashë shqiptare, në
fytyrën e një subjekti politik, Alternativës për ndryshim, që ta nisë këtë fazë të re të diskriminimit.
Në fakt, Alternativa për Ndryshim i është drejtuar Ministrisë për të drejtat e njeriut dhe pakicave dhe
dialogut shoqëror, nga e cila ka kërkuar ndërmarrjen e masave ndaj KKSH-së i cili po e realizon e Fondin
të Qeverisë së Republikës së Kosovës dedikuar shqiptarëve të Luginës. Mjerisht, edhe sot, Beogradi po
gjenë argatët e vet përmes të cilëve bënë diskriminimin ndaj shqiptarëve.
Kjo letër inicuese e një subjekti politik shqiptar, që kërkon ndihmë prej Beogradit për të penguar ndikimin
e Kosovës në Luginë të Preshevës, po shtrohet si pengesë serioze për realizimin, jo vetëm të
subvencioneve në bujqësi, por në tërësi të Fondit që Kosova e ndanë për Luginën e Preshevës.
Alternativa për Ndryshim, ndër vite po dëshmon një politikë klienteliste e nënshtruese ndaj Beogradit, por
të kërkosh ndihmë nga Beogradi për të penguar ndihmat që Kosova sjell në Luginë, kjo e çon në një
shkallë tjetër këtë klientelizëm.
Shkresat e tyre kundër mbajtjes së protestave, kundër politikës rezistuese ndaj Beogradit dhe tash edhe
kundër 1200 bujqëve të cilët po presin subvencionimin e veprimtarive të tyre nga Qeveria e Republikës
së Kosovës, janë dëshmi e qartë e politikës antishqiptare që po gjeneron ky subjekt.
Ky është një rast tjetër që dëshmon domosdoshmërinë e vendosjes së reciprocitetit në të drejta mes
shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe serbëve në Kosovë. Çfarëdo zgjidhje tjetër çelë konflikte të reja.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhet të përdorë këtë rast të diskriminimit flagrant në takimet e
radhës në Bruksel, ndërsa Shqipria zyrtare ta adresojë nëpër forumet ndërkombëtare.
Në këtë betejë me Serbinë, shqiptarët e Luginës presin ndihmën e pozitës e opozitës në Prishtinë dhe
pozitës e opozitës në Tiranë.
Ndërkombëtarët nuk duhet ta heshtin këtë akt jonjerëzorë.
Serbia nuk investon në asnjë sektor zhvilimor në Luginë të Preshevës, ajo njëkohësisht pengon çfarëdo
iniciative për përmirësimin e gjendjes që vjen si rezultat i bashkpunimit tonë me shtetin amë.
Serbia i do shqiptarët në mëshirë të fatit të tyre, duke u pamundësuar çfarëdo iniciative për përmirësimin
e gjendjes së rëndë.
Racizëm i pastër.
Edhe kjo masë e re, sikurse, pasivizimi, mosintegrimi, mosnjohja e diplomave janë në funksion të
politikës së shpopullimit të Luginës së Preshevës nga shqiptarët.
Sikurse zakonisht, Serbia, edhe në këtë rast përdorë kalin e trojës nga radhët e tona. APN e ka marrë
flamurin me i pri iniciativës për pengimin e realizimit të Fondit të RKS në Luginë.
Sot, kur seriozisht po rrezikohet realizimi i Fondit të RKS, secili anëtarë dhe simpatizant dinjitoz i APN,
secili bujk, secili blegtorë, secila OJQ, media dhe gjithë segmentet tjera të shoqërisë tonë duhet të
shohin qartë se ku na çon politika nënshtruese ndaj Beogradit të Vuçiqit.
Çfarëdo klientelizmi, “bashkëpunimi”, pragmatizmi për Beogradin ka vetëm një emërues – nënshtrimin e
shqiptarëve.
A. Vuçiqi i do shqiptarët e nënshtruar dhe të kontrolluar.
Prandaj rezistenca jonë aktive nuk ka alternativë.
E kryetari i Alternativës për Ndryshim, Visar Memeti, i kujton Kamberit se në Kuvendin e Serbisë ka qenë
në të njëjtin grup parlamentar me Zhigmanovin, të cilin tani e quan marionetë.
Deputeti ynë “popullor” paska reaguar duke derdhur lotë krokodili, pas mashtrimit që KNSH dhe kryetari i
saj ua kanë bërë bujqëve, duke shpallur me vetëdije konkurs të kundërligjshëm.
Duke e kuptuar deputetin se, në zgjedhjet e fundit në Bujanoc, Arbër Pajaziti ia ka fshirë dhe kujtesën,
paska harruar që po ky ministër Zhigmanov, që e ka quajtur marionetë të Vuçiqit, hiç më larg se para dy
vitesh, Shaip Kamberi ka qenë në të njejtin grup parlamentar në parlamentin serb, po me këtë
Zhigmanov – marionetë të Vuçiqit(shih foton), çuditërisht për ta “luftuar” bashkë Vuçiqin, të njejtin Vuçiq
që deputetin tonë “popullor” ia mundësoi edhe pas 5 herë përsëritje të zgjedhjeve, që të zgjidhet deputet
në parlamentin serb.
Vlen ta përkujtojmë Shaip Kamberin se po kjo marionetë e Vuçiqit, pra Zhigmanov më 2022-tën, përmes
intervencës kolegiale parlamentare, e solli në krye të KNSH-së bashkëpartiakun e tij, përmes Organit të
dhunshëm, edhe pse i njejti pati trumbetuar se nuk do bëhet asnjëherë kryetar i Organit të dhunshëm në
KNSH, e që emërohet nga një ministër serb.
Pra, le të dihet qartë një herë e përgjithmonë që, përgjegjësinë morale dhe ligjore për mashtrimin e
bujqëve të Luginës së Preshevës dhe shpalljen e konkursit për bujqit në mënyrë të kundërligjshme, e
mban edhe Shaip Kamberi me marionetën e tij Nevzad Lutfiu – kryetari në ikje i KNSH-së., i cili ia zbaton
përpikmërisht vendimet idolit të tij Shaip Kamberit.
Se çfarë do të ndodhë me bujqit dhe me paratë nga Prishtina, mbetet të shihet.